Rasti i Selajdin Beqës, Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Konkurrencës, është simbol i keqpërdorimit të pushtetit dhe mungesës së transparencës institucionale.
Nga aktakuzat për dhunë fizike e deri te shkeljet e hapura ligjore në proceset administrative, Beqa duket se po vepron me mbështetjen e pushtetit aktual, duke e kthyer këtë rast në një shqetësim serioz.
Krejt këto e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen urgjente të institucioneve përkatëse për ta larguar Beqën nga pozita e tij.
Aktakuza për dhunë fizike – një drejtor që sulmon
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Selajdin Beqa ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, Shemsi Elezi, drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut në Autoritetin e Konkurrencës, brenda hapësirave të institucionit që ai drejton.
Selajdin Beqa kishte sulmuar fizikisht duke e goditur nga mbrapa në kokë të dëmtuarin, Shemsi Elezi, më 29 nëntor 2023.
“I pandehuri me dashje që të i shkaktoj lëndim trupor personit tjetër tani të dëmtuarit Shemsi Elezi i njëjti e kishte sulmuar me atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake derisa i dëmtuari kishte dalur në korridor tek fotokopja i pandehur duke i zënë në befasi të dëmtuarin nga mbrapa fillon ta sulmoj me shqelma dhe duar në pjesë të ndryshme të trupit duke e rrëzuar në tokë”, thuhet në aktakuzë.
Sulmi, i kryer me grushte dhe shqelma, është dëshmi e një sjelljeje të papranueshme, veçanërisht për një zyrtar të lartë publik.
Një akt i tillë, i kryer në një ambient pune, jo vetëm që cenon sigurinë dhe integritetin e punonjësve të tjerë, por është edhe një shkelje flagrante e etikës dhe ligjit.
Kërkesa për leje arme – shkelje ligjore
Letra drejtuar ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për leje për mbajtje të armës gjatë gjithë kohës, është një tjetër shembull i abuzimit me pushtetin.
Kjo kërkesë, e bërë jashtë procedurave të përcaktuara ligjore, ngre pyetje për arsyetimin dhe synimet pas saj.
Në një dokument të cilin e kishte publikuar Nacionale, Selajdin Beqa, më 2 prill 2024 i kishte shkruar letër ministrit Sveçla, duke i kërkuar që t’ia aprovojë lejen për armë.
Këtë e kishte arsyetuar me faktin se rreziqeve që ka në vendin e punës, duke aluduar në kompani të ndryshme pas gjobave që shqiptojnë.
“Tani në proces të punës së bashku me Komisionin kemi hapur disa procedura hetimore të ndjeshme në tregun e Kosovës, e që mund të preken interesa të mëdha, të kompanive të fuqishme, me qarkullim dhe shtrirje të madhe në treg. Pa e paragjykuar epilogun e përfundimit të këtyre hetimeve, konsideroj se këto procedura mund të rezultojnë me gjoba të mëdha dhe kjo duket qartazi se mua personalisht më ekspozon ndaj rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në letrën që Selajdin Beqa ia ka drejtuar ministrit Sveçla.
Ligji është i qartë: kërkesa për autorizim në lejen për lëvizje me armë bëhet në stacionin lokal të policisë në rajonin ku gjendet vendbanimi ose vendi i certifikuar i ruajtjes së armëve. Pra, një kërkesë e tillë është kompetencë e Policisë së Kosovës, e jo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo e direkt ministrit Xhelal Sveçla.
Përpjekja për të anashkaluar procedurat e rregullta tregon se Beqa ka përfituar nga lidhjet e tij të ngushta me pushtetin.
Mbikëqyrja ilegale dhe shkelja e privatësisë
Një tjetër aspekt shqetësues është vëzhgimi i paligjshëm i punonjësve të institucionit përmes kamerave.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, pas analizimit të rastit, vizitës brenda objektit të Autoritetit dhe hetimeve të tjera kishte konfirmuar se ka pasur shkelje.
Në arsyetimin e Agjencisë të nënshkruar nga Zyrtarja e Inspektimit, Mirvete Çallaki Aliu, thuhet se “bazuar në faktet e sipërpërmendura si dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia konstaton se Autoriteti i Konkurrencës (në cilësinë e kontrolluesit) përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me Nenin 76, paragrafin 5, të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Ky veprim cenon privatësinë dhe dinjitetin e punonjësve dhe është tregues i një kulture të menaxhimit autoritar dhe të paligjshëm.
Emërimi i dyshimtë në pozitë
Procesi i emërimit të Selajdin Beqës si Drejtor i Përgjithshëm të Autoritetit të Konkurrencës është gjithashtu i kontestuar.
Beqa është bërë Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës duke shfrytëzuar nenin 42 të Ligjit për Zyrtarët Publikë të vitit 2019.
Organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur dyshime të forta për kurdisjen e konkursit dhe shkeljen e kritereve ligjore për përzgjedhjen e kandidatëve.
Sipas këtij neni, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë përzgjedh një nga 10 kandidatët fitues… brenda një periudhe 10 ditore nga shpallja e fituesve.
E në rast se mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë nuk shprehet brenda këtij afati, kandidati fitues me pikët më të larta në bazë të ligjit, konsiderohet i përzgjedhur në detyrë.
Beqa, në atë kohë Ushtrues Detyre, ishte renditur i pari në këtë konkurs, por Organizatat e Shoqërisë Civile, në një reagim publik më 17 tetor 2023, kanë alarmuar lidhur me këtë konkurs me dyshimin se është kurdisur për njërin kandidat – pikërisht Selajdin Beqën.
Thirrja e Organizatave të Shoqërisë Civile (Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Instituti GAP, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP) kanë kërkuar njëzëri që të anulohej ky proces rekrutues.
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për ketë proces rekrutues, CorrWatch ka identifikuar dy shkelje:
- Shkelja e parë ka të bëjë me vendosjen e kriterit të posaçëm . Përveç që nuk është ndjekur procedura ligjore për caktimin e këtij kriteri, CorrWatch ngrit gjithashtu dyshimin që konkursi të i jetë kurdisur një kandidati të caktuar për faktin se vetëm një kandidat e plotëson këtë kriter. I njëjti është punonjës në AKRK dhe aktualisht zëvendësues i pozitës së drejtorit të përgjithshëm.
- Shkelja e dytë konsiston në faktin që AKRK ka vendosur në listën e ngushtë kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore (siç janë kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme, pra ato që janë vendosur në konkurs nga AKRK). Ndonëse në listën e publikuar nga AKRK, për rezultatet nga verifikimi paraprak janë pesë kandidatë, CorrWatch ka konstatuar se tre (3) kandidatë kanë plotësuar kriteret e përgjithshme, ndërsa vetëm një 1 nga kandidatët e ka plotësuar edhe kriterin e posaçëm të përcaktuar në konkurs.
Nisur nga këto shkelje serioze të ligjit, CorrWatch kishte kërkuar anulimin e procedurës së rekrutimit për shkak të shkeljes së nenit 40, paragrafi 5, pika 5.1 të Ligjit nr.06-L-114 për Zyrtarët Publik.
Ligji obligon vlerësimin e kritereve të përgjithshme dhe të posaçme e që në rastin konkret e plotëson vetëm 1 kandidat, ndërsa me ligj kërkohet që së paku dy (2) kandidatë duhet të kalojnë me sukses procedurën e konkurrimit.
Lidhja me pushtetin
Selajdin Beqa nuk e ka fshehur përkrahjen e tij për Lëvizjen Vetëvendosje. Ai është fotografuar së fundmi në një parafushatë të mbajtur në Gjermani së bashku me deputetët e kësaj partie, Mefail Bajqinovci dhe Valon Ramadani.
Fotografia, e publikuar nga vetë deputeti Bajqinovci, ngre dyshime të mëdha për politizimin e një pozite që ligjërisht duhet të jetë jashtë ndikimeve politike.
Për më tepër, është shqetësuese që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk shohin problem të shoqërohen publikisht me një person që ka aktakuzë për dhunë dhe shkelje të tjera ligjore.
Ky veprim minon kredibilitetin e pushtetit aktual.
…
Duke pasur parasysh aktakuzën për dhunë, shkeljet e ligjit gjatë kërkesës për leje arme, vëzhgimin e paligjshëm të punonjësve dhe manipulimin e procesit të rekrutimit, është e qartë se Selajdin Beqa nuk mund të vazhdojë të mbajë pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm.
Beqa, që po del i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë do të duhej të pezullohej nga puna në momentin që i ishte ngritur aktakuza, por siç është raportuar në medie, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, në kundërshtim me ligjin, jo vetëm që nuk e kishte pezulluar, por Beqa, pas rrahjes së kolegut, ishte ngritur në detyrë nga u.d i Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtor të Përgjithshëm.
Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, Neni 69 “Pezullimi sipas Detyrës Zyrtare”, pika 1.5., “nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare” nëse “ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të saj/tij”.
Mosveprimi i institucioneve përkatëse për të larguar Beqën nga pozita përbën një precedent të rrezikshëm për integritetin e institucioneve publike në Kosovë.
Largimi i tij nga pozita nuk është vetëm një akt drejtësie, por edhe një hap i domosdoshëm për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Mosveprimi në këtë rast do të përforconte perceptimin se pushteti vazhdon të mbrojë dhe të promovojë individë të përfshirë në shkelje të rënda ligjore./Paparaci
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.