Gërshetimi mes poezisë, politikës e sociologjisë – ja profili i kandidates për deputete, Sibel Halimi

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Sibel Halimi ka folur rreth vendimit të saj për t’i hyrë politikës.

Në emisionin “Ora e Pasdites”, Halimi tha se nuk ishte aspak e lehtë të merrej ky vendim, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk ka qenë i lehtë vendimi për të hyrë në politikë. Unë jam marr kryesisht me studime, me poezi, dhe konsiderova se të qenurit aktive në jetën publike duhet të vjen një moment tjetër ku e gjithë ajo që ke akumuluar, njohuritë mbi funksionimin e shoqërisë sonë kanë ardhur deri në atë nivel sa duhet të marrësh përgjegjësi direkt që t’i zgjedhësh ato probleme”, tha ajo.

Ndërsa ajo shtjelloi po ashtu se çfarë profili po sjell në sferën publike, ku sipas saj është shumë më ndryshe nga ajo që është parë më herët.

“Nuk mund të them që poezia, të qenurit sociologe është ndarë tërësisht nga politika, sepse të qenurit sociologe domethënë të përfshihesh në sferën publike. Por politika ka një dinamikë tjetër, dhe përgjegjësia është shumë më e madhe ku përfaqëson shoqërinë, sesa kur përfaqëson vetëm vetveten. Një sinkronizim i jashtëzakonshëm mes poezisë, politikës dhe sociologjisë, besoj se po e sjell një profil krejt tjetër në sferën publike”, u shpreh Halimi.

Kandidatja për deputete po ashtu dha këshillë për të gjithë ata që ia mësyjnë jetës politike.

“Këshilla ime për të gjithë ata që përfshihen në politikë është që ta ndërtojnë fillimisht vetveten nëpërmjet profesionit, ta përmbushin vetveten, pastaj kur hyjnë në politikë mbeten identitet i papërfshirë, i patjetërsuar”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

source

Nach oben scrollen